Veseli : T’i ruajmë marrëdhëniet speciale që kemi ndërtuar me SHBA-të dhe BE-në

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takime të ndrara ambasadorin britanik, Ruairí O’Connell dhe ambasadoren kroate, Marija Kapitanoviq, të cilët këto ditë e përfundojnë mandatin e tyre në Kosovë, njofton Gazeta Evropa.

“Kosova e arriti pavarësinë e saj fal luftës së guximshme të UÇK-së nga njëra anë dhe duke ndërtuar një koalicion të fuqishëm me partnerët ndërkombëtarë nga ana tjetër. Një nga temat për të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e ardhshme është nëse Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë apo do t’i trajtojë partnerët tanë si të ishin armiq dhe të përpiqet të mbijetojë e vetmuar”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në “Facebook”.

Postimi i plotë i Veselit:

Mëngjesin e sotshëm e kalova me disa miq ambasadorë që po përfundojnë mandatin e tyre në Kosovë. Ambasadorit britanik, Ruairí O’Connell dhe ambasadores kroate, Marija Kapitanoviq, iu shpreha mirënjohjen për kontributin e dhënë gjatë kohës që kanë shërbyer në Kosovë dhe iu urova punë të mbarë në detyrat e tyre të ardhshme.

Kosova e arriti pavarësinë e saj fal luftës së guximshme të UÇK-së nga njëra anë dhe duke ndërtuar një koalicion të fuqishëm me partnerët ndërkombëtarë nga ana tjetër. Një nga temat për të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e ardhshme është nëse Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë apo do t’i trajtojë partnerët tanë si të ishin armiq dhe të përpiqet të mbijetojë e vetmuar.

Unë gjithmonë kam besuar në partneritet. Unë mendoj se për të pasur sukses dhe prosperitet, duhet të ruajmë marrëdhëniet speciale që kemi ndërtuar me SHBA-të dhe BE-në. Unë jam i bindur se duke dëmtuar këtë lidhje dëmtohet Kosova, prandaj ne nuk duhet ta lejojmë që të ndodh kjo gjë.