Veseli: Ushtria është formuar për t’i mbrojtur kufijtë e Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Ushtria e Republikës së Kosovës, është formuar për ta mirëmbajtur paqen duke ruajtur territorin dhe kufijtë e vendit tonë të shenjtë, njofton Gazeta Evropa.

Sikurse gjatë fjalimit me rastin e diplomimit të kadetëve të rinj, edhe në postimin e tij në Facebook, Veseli është zotuar se të ndikojë për rritjen e buxhetit për ushtrinë.

Postimi i plotë i Veselit:

Ushtria e Republikës së Kosovës është element i domosdoshëm për stabilitet jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë rajonin. Ne nuk e kemi formuar ushtrinë për të shkaktuar kriza, por për të mirëmbajtur paqen duke ruajtur territorin dhe kufijtë e vendit tonë të shenjtë. Kosova tani ka një ushtri profesionale dhe të gatshme për t’u rreshtuar përkrah ushtrive më elitare të NATO-s. Zotohem se do të rrisim buxhetin e ushtrisë e bashkë me të edhe nivelin e sigurisë në mënyrë që të mbajmë larg çdo cenim të mundshëm. Ky veprim është pjesë e projektit tonë të pandalshëm për ndërtimin e një Kosove të zhvilluar, pa korrupsion, pa nepotizëm dhe me më shumë mundësi për rininë tonë. Vetëm një Kosovë me perspektivë të tillë e ka të sigurt rrugën e saj drejt BE-së dhe instancave tjera veri-atlantike.