Veseli vizitoi Agjencinë Tatimore e Kosovës, premton mbështetje për biznese

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar Agjencinë Tatimore e Kosovës, ku ka premtuar që në qeverinë të cilën synon ta udhëheq, asnjë biznesmeni nuk do i duhet të paguajë dikë apo të përdorë ndikime e njohje për të pasur sukses, shkruan Gazet Evropa.

Veseli ka thënë se masat kundër korrupsionit i kanë rritur të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës në 11% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Postimi i plotë:

Agjencia Tatimore e Kosovës e ka ashpërsuar luftën kundër korrupsionit edhe me një masë të re shumë efikase, me Sistemin e Riskut.

Në qeverinë time, asnjë biznesmeni nuk do i duhet të paguajë dikë apo të përdorë ndikime e njohje për të pasur sukses.

Ky sistem elektronik i identifikimit të bizneseve, që të tash kontrollohen me të dhënat e riskut duke u analizuar në mënyrë automatike, i ka eliminuar kontrollet selektive dhe qëllimkëqija me tendenca korruptive.

Po ashtu, kompanitë me probabilitet të lartë për të bërë evazion fiskal identifikohen me kohë nga ky sistem, i cili më pas i orienton edhe kontrollet për ta shmangur atë.

Këto masa kundër korrupsionit i kanë rritur të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës në 11% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kjo rritje trefish më e madhe se rritja ekonomike dëshmon se shkalla e rritjes vjen prej efikasitetit dhe qeverisjes së mirë të ministrit Bedri Hamza, jo prej rritjes së natyrshme të ekonomisë sonë.

Nga 1.7 miliardë sa ishte buxheti i shtetit, pa rritur tatimet dhe tarifat doganore, barra fiskale këto që do të rëndonin mbi qytetarët, me masat e ndërmarra kundër korrupsionit kemi arritur ta bëjmë 2.4 miliardë euro.

Kujdesi ynë për gjeneratat e reja dëshmohet edhe me vendosjen e tërësishme të borxhit publik nën kontroll, duke mos lejuar që fëmijët tanë të ngarkohen me borxhet e shtetit.

Me këto miliona euro tani mund të krijojmë mundësi më të mira për të rinjtë tanë, në mënyrë që të mos detyrohen të largohen jashtë vendit.