Vihet gurthemeli për rindërtimin Kullës së Shaban Mangjollit

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në vendosëm gur-themelit të Shtëpisë Muze, Kullës së luftëtarit guximtar dhe sypatrembur të Drenicës dhe të mbarë shqiptarisë, atdhetarit, Shaban Mangjollit, njërit ndër luftëtarëve më besnikë të Lëvizjes Kaçake, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës e Shaban Polluzhës, njofton Gazeta Evropa.

“Jam i lumtur dhe shumë i nderuar që në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, së bashku me popullin trim të Drenicës po e vendosim gur-themelin e Shtëpisë Muze/Kullës së atdhetarit, Shaban Mangjolli, të cilin shkrimtari e kishte portretizuar si ‘Kaçaku i gjatë si një Flamur’”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Postimi i plotë i ministrit Gashi:
Sot, njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës, dekada të tëra pas luftërave të Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, Kryetrimit të UÇK-së, Adem Jasharit, e vendosëm gur-themelin e Shtëpisë Muze, Kullës së luftëtarit guximtar dhe sypatrembur të Drenicës dhe të mbarë shqiptarisë, atdhetarit, Shaban Mangjollit, njërit ndër luftëtarëve më besnikë të Lëvizjes Kaçake, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës e Shaban Polluzhës.

Jeta e Shaban Mangjollit, sikur edhe e bashkë kohanikëve të tjerë trima, Ahmet Delisë, Ramë Islamit, Shaqir Smakës, Halit Bajramit, Hazir Ramës, Kamber Loshit, Sejdi Metës, Isuf Rexhës, Shote Galicës e shumë të tjerëve, ishte luftë e pa ndalur për mbrojtjen e tokave të parëve tanë, luftë për nderin, krenarinë e rrënjëve tona, gjakut, identitetit dhe emrit shqiptar.

Jam i lumtur dhe shumë i nderuar që në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, së bashku me popullin trim të Drenicës po e vendosim gur-themelin e Shtëpisë Muze/Kullës së atdhetarit, Shaban Mangjolli, të cilin shkrimtari e kishte portretizuar si ”Kaçaku i gjatë si një Flamur”!

Mbi themelet e kësaj Shtëpie Muze, Kullës së Shaban Mangjollit, përjetë do të zë rrënjë edhe një copë e kujtesës sonë historike, për rrugëtimin tonë, nga robëria deri te liria, çlirimi dhe shtet ndërtimi i Republikës së Kosovës.

Sa herë që, rinia dhe vizitorë tjerë të vijnë në këtë Kullë të krenarisë shqiptare, gjithnjë dhe gjithmonë do ta ndjejnë se populli shqiptar, lirinë e tij e shkroi me gjakun e vet!