Vuçiqi për takimin me Thaçin: “Asgjë posaçërisht ekskluzive”

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se në takimin me homologun kosovar Hashim Thaçin nuk kishte “asgjë posaçërisht ekskluzive”.

Vuçiqi tha se tema e takimit surprizë në Paris ku prezent ishte edhe presidenti francez Emmanuel Macron ishte vazhdimi i dialogut, njofton Klan Kosova.

“Tema ishte dialogu Beograd-Prishtinë, vazhdimi i dialogut, kur mund të pritet, kur do të formohet qeveria në Prishtinë, d.m.th., si mund të procedojmë dhe cilat janë qëllimet dhe cilat janë mundësitë”, tha Vuçiq për të TV Prva.

I pyetur se cilat ishin përfundimet e takimit, ai tha: “Asgjë posaçërisht ekskluzive”.

“Ne të dy thamë se donim të vazhdonim dialogu dhe se e dimë se çfarë është kushti që dialogu të vazhdojë. Ne po presim që ata të formojnë qeverinë dhe të shohim”.

Vuçiq tregoi se i tha Macronit se gjërat nuk ishin aq rozë dhe të favorshme për ata (në Prishtinë) siç thoshin.

“Unë gjithashtu thashë që Serbia nuk do të pajtohej me një ultimatum, por për kompromis”.