Xhavit Haliti në Berlin, lobon kundër zgjedhjes së ish- spiunit rus raportues për Kosovën

Nesër mbahet mbledhja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilën do të vendoset për raportuesin për Kosovën, shkruan Gazeta Evropa.

Në këtë mbledhje, e cila do të mbahet në Berlin, në ndërtesën e Bundestagut të Gjermanisë, do të merrë pjesë edhe shefi i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, i cili do lobojë kundër zgjedhjes së ish-spiunit rus, Aleksey Kondratyev raporues për Kosovën.

Po ashtu Haliti, dje në emër të Kuvendit të Kosovës u është drejtuar me një shkresë zyrtare shefave të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, nëpërmjet së cilës ka kërkuar që të mos votohet propozimi i Fedaratës Ruse, por raporotues për Kosovën të zgjidhet dikush nga vendet neutrale.

Për rusin Kondratyev këto ditë ka shkruar edhe gazeta gjermane, “Bild”.

Kondratyev ka qenë anëtarë i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU) deri në vitin 2010, ndërkohë ka qenë në Kosovë në periudhën 1999-2001 si pjesë e shërbimit ushtarak rus.

Siç shkruan Bild, ai asnjëherë nuk e ka mbajtur sekrete qasjen e tij kundër Kosovë dhe qëndrimin pro Serbisë.

Tutje gazeta gjermane shkruan se ka edhe një numër të madh spekulimesh se Kondratyev ishte përfshirë në një skandal në Kosovë përgjatë vitit 2001, kur i dehur kishte shtënë me armë dhe kishte lënduar disa persona.

Edhe gazeta “Koha Ditore”, kishte raportuar duke u thirrur në zëdhënësin e UNMIK-ut Denis Norton, se “së paku një ushtar rus ëshët në spital për shkak të plagëve të marra. Po ashtu janë edhe katër qytetarë të cilët kanë qenë ët lënduar”.

Ndërkaq, Aleksey Kondratyev në biografinë e tij tregon se ka qenë pjesë e shërbimit të inteligjencës ushtarake të Federatës Ruse, i njohur si GRU, dhe gjatë kësaj kohe ka shërbyer si pjesëtar i kontigjentit të KFOR-it.

Gjithashtu, në biografinë e tij, thuhet se ka qenë i plagosur në Kosovë, pa treguar se në çfarë rrethanash ka ndodhur rasti. Menjeherë, pas plagosjes, Kondratyev është kthyer në Rusi, ku ka vazhduar studimet e mëtejme në një akademi ushtarake.

Anëtar i Partisë “Rusia e Bashkuar”, Kondratyev, si pjesë e mekanizmit të Putinit për influencën malinje ruse në Evropë, ka lidhje të gjëra edhe me diktatorin sirian, Bashar Al Asadin.