Xhavit Haziri, heroi që i bën roje lirisë së atdheut

Ramadan AVDIU

Në ditëlindjen e tij të 59-të, Heroi i Kosovës, Xhavit Haziri, vjen i përjetësuar në qytetin ku kaloi një kohë të jetës së tij në Kastriot.

Xhavit Haziri është heroi i kombit jeta dhe veprimatria e të cilit akoma nuk është pasqyruar plotësisht. Ai nga rinia e tij e hershme ishte përfshirë në radhët e organizuara klandestine për t’u angazhuar në rezistencë e luftë për liri.

Në vitin 1985 do të arrstohet dhe do të dënohet me 9 vjet burg nga gjykata e pshtuesve serbë. Ai pas më shumë se pesë vitesh qëndrimi në burg lirohet në fund të vitit 1990. Pas daljes nga burgu, Xhaviti menjëherë i gjenë radhët e organizuara dhe rreshtohet në radhët Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës.
Në shkurt të vitit 1991, në Konferencën e Jashtëzakonshme në Prapashticë, zgjidhet anëtar i Komitetit Drejtues e më vonë edhe anëtar i Sekretariatit.

Nga shkurti deri në tetor, Komiteti Drejtues dhe e gjithë struktura e LPRK-së janë angazhuar për të organizuar mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPRK-së, e cila është mbajtur në Ujmirë më 04.10.1991. Në këtë Mbledhje të Përgjithshme organet udhëheqëse të LPRK-së janë krijuar në Kosovë, Xhaviti do të zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-së, kurse Këshilli i Përgjithshëm e zgjedh Kryesinë e Organizatës në përbërje: Gani Sylaj, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Hidajete Krasniqi dhe Guximtar Labënishti… Pas tërheqjes së Gani Sylajt,
i cili për një kohë të shkurtër ishte kryetar i Organizatës, pozitën e kryetarit e ka mbajtur Xhavit Haziri deri në mbledhjen e Katërt të Përgjithshme.

Nga viti 1991 Xhaviti ka qenë i ngarkuar me detyra të veçanta për tu përkushtuar organizimit ushtarak.

Në mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPK-së, Xhaviti do të rizgjedhet anëtar i Kryesisë, por disa ditë më vonë do të arrestohet në fushatën e madhe të arrestimeve të gushtit 1993. Nga të gjithë të arrestuarit vetëm Xhaviti ka qenë pjesmarrës në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme, ku ishte vendosur që të fillojnë përgatitjet intensive për luftë të armatosur… dhe përkundër torturave të tmershme hetuesit pushtues serbë nga Xhaviti nuk kanë mund të nxjerrin asnjë informatë….

Ai do të dënohet me 5 vjet burg, ku do të qëndroi katër vite. Lirohet në vitin 1997 dhe menjëherë kyqet në përforcimin e radhëve të UÇK-së. Nuk do të ndalet për asnjë çast deri më 17 shtator 1998, kur do të kidnapohet nga policia sekrete serbe dhe nga ajo ditë tashmë thuajse plot 21 vjet, nuk ka asnjë shenjë për fatin e tij.

Zakonisht sa herë kam pasur mundësi të flas për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, gjithmonë e kam veçuar rastin e Xhavit Hazirit, Ukshin Hotit, Hysen Zogianit dhe dr. Hafir Shalës, nisur nga fakti se ata janë kidnapuar ngase kanë qenë veprimtarë, dihet vendi dhe koha kur janë kidnapuar, por nuk dihet mënyra e zhdukjes së tyre. Serbia ka për obligim të tregoi se si i kanë zhdukur.

Xhaviti ishte intelektaul, veprimtar, ideolog e organizator me shkathtësi të jashtëzakonshme. Kontributi i tij në rritjen e shkallës së rezistencës kundër pushtuesve dhe orgaizimin e kryengritjes ishte i madh. Ai tashmë i përjetësuar i bënë roje lirisë së atdheut. Unë dhe shokët e mi ishim me fat dhe krenohemi që e kemi pasur bashkëveprimtarë.
Familja Haziri, si shoqja e tij e jetës Remzija, djemët Çlirimi e Shqiprimi, ashtu edhe vëllezërit e Xhaviti dhe familja Haziri në përgjithësi të jenë krenarë me heroin e kombit, Xhavit Haziri.
Lavdi e Përjetshme për jetën dhe veprën e Xhavit Hazirit!