Zëdhënësi i PDK-së thotë se VV-ja është e paaftë dhe e korruptuar

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Avni Bytyçi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e paaftë dhe e korruptuar, raporton Gazeta Evropa.

“Partia Demokratike e Kosovës, si parti opozitare, e fton LVV-në që të pushojë me këto lojëra fëmijërore, sepse bëhet fjalë për shtetin e Kosovës, e jo për ndonjë forum të tyre politik. Le ta formojë Qeverinë sa më parë, edhe pse, siç po shihet, Kosova dhe shoqëria e saj nuk do të përfitojnë asgjë”, ka shkuar Bytyçi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Postimi i plotë i Bytyçit:

Paaftësinë e saj për ta formuar koalicionin qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje sot ia paska adresuar një formacioni politik imagjinar.

Partia e Albin Kurtit, jo vetëm është e paaftë, por është edhe e papërgjegjshme dhe mashtruese.

Partia Demokratike e Kosovës, si parti opozitare, e fton LVV-në që të pushojë me këto lojëra fëmijërore, sepse bëhet fjalë për shtetin e Kosovës, e jo për ndonjë forum të tyre politik. Le ta formojë Qeverinë sa më parë, edhe pse, siç po shihet, Kosova dhe shoqëria e saj nuk do të përfitojnë asgjë.

Ndërsa, për çkapjen e shtetit, le të fillojnë nga Komuna e Prizrenit, ku tashmë gjysma e kabinetit është nën aktakuza për korrupsion dhe abuzim të detyrës zyrtare.